Me ngjyrat e Blerti Kroit

Artikull i botuar në revistën Anabel

Jemi mësuar që, në pjesën më të madhe, politikanët, aktorët, këngëtarët apo shkrimtarët të zgjidhen si personazhe të një viti që lamë pas. Flasim kaq shumë për ta, lexojmë mbi ta, i shohim shpesh në ekran, por harrojmë që ka dhe profesione të tjera, që mbase meritojnë po të njëjtin status. Për këtë arsye, mashkulli ynë i vitit është një arkitekt, i cili, bashkë me stafin e “Nga e para”, ndryshoi krejtësisht jetën e 12 familjeve në nevojë, i bëri të ëndërrojnë apo të jetojnë ditë më të mira. Pasi, siç rrëfen dhe vetë Blerti, shtëpia është ishulli ynë personal. Po ta veshim me ngjyra, bota jashtë, e cila është gri, do të na duket më e mirë. Nga eksperienca e prapakuintave, e sfidave me kohën, zgjedhja e arkitekturës, të dashuruarit të një profesioni, tek marrëdhënia e re pas marrjes së statusit “personazh publik” dhe raporti i një mashkulli si ai me femrat, Blerti i tregon këtu në “Anabel”, pothuajse të gjitha…

Blerti, nuk ka shumë kohë që ke përfunduar sezonin e parë të “Nga e para”! Ishte një prodhim i suksesshëm dhe i komentuar. Ishte hera jote e parë në një show të tillë dhe u bëre personazh publik. Si e kujton eksperiencën? Ishte një eksperiencë jete për mua, shumë e vlefshme. Pjesa më interesante, përveç anës njerëzore, ishte një botë krejt e re: bota e show-t televiziv. Isha skeptik në fillim, por zbulova një jetë shumëdimensionale. Ishte një ëndërr, edhe pse në fillim e mora me pak frikë, sidomos nga presioni i kohës. Në katër ditë duhet të realizohej gjithçka, por ja që po ata njerëz që ndoshta i zgjasin gjërat për katër vjet, kanë fuqinë për ta bërë në katër ditë. Njeriu bën të pamundurën kur do.

Ka ende publik që nuk e beson se shtëpitë u realizuan në katër ditë?
Nuk kanë faj, por krijimi i asaj “familjeje” të madhe solli këtë risi. Unë kisha eksperiencë vetëm në fushën e projektimit më herët dhe as vetë nuk do ta besoja, por ja që ndodh. Ti je arkitekt. Duket sikur ky profesion nuk i shkon shumë për shtat njerëzve të ekranit, atyre që duan të jenë në qendër të vëmendjes.

Si e zbulove këtë anë të panjohur tek vetja?
Ashtu është. Por janë disa tipologji profesionistësh tek arkitektët. Ata që shkruajnë dhe që duan të jenë gjithmonë prapa kuintave. Ata që projektojnë, zgjedhin përsëri të mos shfaqen. Janë dhe profesionistët që merren me menaxhimin e kësaj pune, e cila në njëfarë mënyre duhet të shitet e që lidhet ngushtë me marrëdhëniet me publikun. Unë këtë të fundit e kisha të fshehur dhe nuk e dija. Zbulova që më pëlqen shumë komunikimi me njerëzit: atë që dua ta realizoj, dua ta shpjegoj.

Beson se një arkitekt është baras me një artist?
Pjesa artistike ka nisur të shuhet sot, për shkak të aspektit ekonomik apo aspektit kohë, material, vullnetarizëm.

Si ka qenë marrëdhënia jote me Valbona Selimllarin prapa kuintave?
Shumë miqësore. Në fillim pata emocione, pasi do të kisha në krah një personazh të njohur publik. Por Bona është një njeri shumë i çiltër. Ata që e njohin, nuk e quajnë kot Bobi.

Përveçse një eksperiencë profesionale, ky format ishte dhe një eksperiencë njerëzore. Ju njohët dhe ndihmuat rreth 12 familje. A kishte ndonjë që do dëshiroje ta veçoje?
Shtëpia e fundit, ajo që mbylli sezonin. Më ka prekur shumë ajo familje. Ishin fëmijë të vegjël, jetimë. Lidhja shpirtërore ndonjëherë është thjesht një “klik”. Por ishte edhe vështirësia e realizimit të shtëpisë, pasi ishin vetëm 38 metra katrorë dhe familja me numrin më të madh të personave që duhet të strehoheshin. Katër fëmijë dhe nëna e tyre. Nga e gjithë kjo eksperiencë, del me një bagazh social të paimagjinueshëm. Shpesh harrojmë se çfarë na rrethon përtej botës së ngushtë ku jetojmë. Kur sheh skamjen dhe varfërinë, nis të vlerësosh atë që ke, familjen, njerëzit që të duan, punën.

E megjithatë ai ishte një show televiziv…
Po, por kalon përtej kësaj. Ka qenë shumë e vështirë për ne në fillim të bindnim sponsorët, pasi ata ishin skeptikë. Mund të zbuloj që vetëm nga fundi pjesa më e madhe e tyre na kanë thënë që kishin bërë veprimin e duhur.

Blerti, një nga kritikat që i është bërë emisionit “Nga e para” ishte vështirësia në shprehjen e emocioneve tek familjet e zgjedhura. Në formate të tilla të ngjashme jashtë vendit, kemi parë lot, ulërima e tepër ngazëllim. Ndërsa këtu emocionet ishin tepër të ngurta. Pse?
E drejtë. E para mendoj se ka të bëjë deri dikur me karakterin e ngurtë të shqiptarit. Por unë e shpjegoj më shumë me hutimin. Si do të ndiheshim ne të dy sot po të na dhuronin një makinë Ferrari? Do të ishim të hutuar dhe reflektimi për atë që na ndodhi mbase do të vinte pas tre ditëve. Jo më për ato familje që ne zgjodhëm, të cilët nuk mund ta imagjinonin dot një televizor plazmë apo një frigorifer me dy kate.

Blerti, pse vendose të bëheshe arkitekt?
Është një traditë familjare, pasi edhe mamaja ime është arkitekte. Por ky profesion është diçka që vjen nga brenda. Kam qenë nga ata që në shkollë dashuroja lëndën e vizatimit teknik.

Paske qenë nga ata që ua bënin detyrat edhe të tjerëve…
Po (qesh). Lëndët e tjera nuk i kam pasur shumë qejf. Nuk kam qenë ndonjëherë ndonjë nxënës i dalluar, por më pëlqen puna. Çdo profesion është 1 për qind talent dhe pjesa tjetër punë. Kur bëra zgjedhjen e fakultetit, prindërit e mi ishin skeptikë, pasi është një rrugë e gjatë, njësoj si mjekësia. Kam studiuar për 7 vjet në Rumani dhe, kur u ktheva, pësova një shok.

Në çfarë kuptimi?
Kisha humbur rrethin shoqëror. Nuk e gjeta menjëherë veten. U binda vetëm pasi gjeta punën tim të parë: një projekt për një zonë të Tiranës. Aty nisa të njihja njerëzit, mënyrën sesi funksionon jeta sociale dhe më pëlqeu. Erdha në kohën kur në Tiranë nuk po ndërtohej më masivisht, ndaj u përqendrova tek interior design-i. Më pas ngrita këtë studion ku jemi sot, të cilën e keni parë edhe në televizor. Arreduesi është një koncept krejt i ri në Shqipëri, pasi ka të bëjë me kushtet ekonomike.

Ka punë për ju?
Është një shërbim luksi në aspektin e parë, por uroj të kthehet në domosdoshmëri. Ka të bëjë më menaxhimin e një fondi, që për një njeri të thjeshtë mund të jetë një investim në drejtimin e gabuar. Është një listë e gjatë elementesh tek një shtëpi, që duhen ndërtuar në formën funksionale. Megjithatë shijet janë personale, por përpiqemi t’i përshtatim.

Ka shtëpi të arreduara bukur në Tiranë?
Po, ka. Trendi mund të kuptohet nga ndërtimi i showroom-eve të ndryshme në Shqipëri. Mbase ky është një tregues, pasi në këto ambiente ka materiale që janë të ngjashme me propozimet e revistave më të njohura për arredimin në botë.

Çfarë bën tjetër Blerti përveç punës?
Më kape mat (qesh). Do desha që dita të kishte 48 orë, që të merresha me pjesën tjetër. Pas 4 vjetësh, bëra 10 ditë pushime tani për festat e fundvitit.

Qenke i varur nga puna me pak fjalë…
Po dhe më vjen keq. Edhe kur takoj njerëz të rinj, qoftë edhe ndonjë vajzë, pas tre-katër diskutimesh, kaloj prapë tek puna. Më thonë “je i çmendur”. Mbase e kam gabim, por më pëlqen që, kur shtrihem, të mendoj se kam bërë diçka të mirë, pozitive e produktive. Përtej çështjes financiare, është puna ajo që të mban gjallë. E vetmja pjesë e meditimit që kam me veten, është një orë vrap që bëj në ditë.

Indirekt me këtë që the, nuk paske të dashur, një partnere?
Kam fanse (qesh). Nuk kam një njeri fiks. Nuk të pret njeri deri më katër të mëngjesit (qesh).

A je bërë i njohur tek femrat?
Nuk e di, mbase. Më duket interesante, ndryshe. Megjithatë, nga programi, ajo çka kam konstatuar, janë gratë dhe fëmijët ata që më njohin më shumë në ambientet publike (qesh). Mbase vajzat nuk ma thonë (qesh). Megjithatë dua të tregoj një episod të çuditshëm. Kërkonin një profesionist për një punë të caktuar në zyrë. Ai që erdhi, më tha se do të punonte falas. I habitur, e pyeta pse. Më tha që “më pëlqen shumë puna jote, me shpirt”. M’u duk krejt e habitshme! (Qesh). Mbase ishte efekti i programit.

Në syrin e profesionistit, a është Tirana sot një vend për të jetuar?
Unë e dua Tiranën shumë, edhe pse me kaos. Mbase është personale, pasi secili nga ne përpiqet të krijojë ishullin e vet të jetuarit. Nëse i vë elementin artistik jetës, ndoshta e sheh më bukur situatën. Edhe nëse është gri, e imagjinon me ngjyra. Për profesionistët në Shqipëri, ka material bruto për të punuar; nëse do të ishte perfekte, nuk ke se çfarë i ndryshon.

Çfarë shenje horoskopi i përket?
Demit.

Ooo, fiks i dhënë pas punës…
Po, e besoj dhe unë.

E lexon?
Po. Jam disi supersticioz. Viti 2009 ka qenë fantastik për Demin.

Ashtu? Çfarë të ndodhi atë vit?
Pata disa kontrata të rëndësishme pune.

Prapë tek puna!
Po, po, ndërsa nga ana sentimentale, disi.

Çfarë ngjyre ka jeta jote në këto momente?
Lejla.

Pse?
Është e preferuara ime. Ja, shiko dhe pantallonat: në këtë nuancë i kam. Është ngjyrë e qëndrueshme. Mban çdo lloj ngjyre tjetër, ka personalitet.

Çfarë ngjyre ka puna për ty?
Të verdhë, sepse ndonjëherë të lodh, njësoj si puna. Por është konstante.

Dashuria?
E kuqe.

Pse gjithmonë e kuqe?
Sepse të ndez.

Miqësia?
Blu, mbase gurkali.

A ka ndonjë aspekt të jetës tënde që do të dëshiroje ta nisje “Nga e para”?
Jo.

Cilët janë njerëzit që të frymëzojnë?
Andy Warhol, “babai” i pop art-it, Salvador Dali dhe një nga aktorët më të dashur për mua, Ndriçim Xhepa.

Çfarë të tërheq tek një femër?
Thjeshtësia. Jo shumë e bukur, por të jetë e kuruar tek elementet e veshjes.

Cilët elemente?
Personalitet në veshje, tek flokët, të mos jetë shumë e grimuar, jo taka në orën 7:00 të mëngjesit. Veshja për mua shpreh kompleksitet.

Çfarë të acaron tek një femër?
Posesiviteti. Secili nga ne ka nevojë për hapësirat e veta.

Ka rregulla për ty në një marrëdhënie?
Po. E kam nga eksperienca personale, nga një marrëdhënie që kam pasur me një vajzë franceze, raport, e cila më ka mësuar shumë. Patjetër që ka rregulla.

Çfarë nuk dinë femrat?
Që sa më shumë posesive të jenë, aq më shumë dobësi tregojnë ndaj meshkujve. Një mashkull tërhiqet më shumë kur i thua “bëje”, aty ndalet dhe thotë: “Ou, ç’të ketë vallë kjo?!”. (Qesh).

Duhet të gënjesh?
Po, gënjeshtra të bardha, për të ruajtur situata të caktuara.

Më duket se me këto rregulla që thua, po e shkërmoq kuptimin e fjalës tradhti…
Janë të rrallë njerëzit që nuk tradhtojnë. Është pjesë e karakterit njerëzor. Kohët e fundit njerëzit kanë harruar të bëjnë dhe dashuri, sidomos me daljen e rrjeteve sociale. Tradhtia ka kaluar më shumë në flirt elektronik sesa fizik. Flet e flet, e shikon që ka vajtur mesnata, ndërkohë bashkëshortja po të pret në krevat.

Ka strategji në marrëdhëniet intime?
Jo, por ka norma. Shoh familjen time, familjen e motrës… janë të shëndetshme. Ndaj besoj edhe tek institucioni i martesës.